Një seancë për krime lufte në Hagë është ndërprerë në mënyrë dramatike, kur i akuzuari piu diçka që sipas tij ishte helm, ndërsa po dëgjonte vendimin.
Slobodan Praljak është një nga 6 ish-politikanët boshnjako-kroatë dhe udhëheqësit ushtarakë që kanë dalë para kësaj gjykate.
Ai u dënua me 20 vite burg në vitin 2013 për krime në qytetin e Mostarit. Në seancën ku dënimi i tij po rishikohej, Praljak u çua në këmbë dhe ngriti dorën drejt gojës, duke përkulur kokën prapa dhe u duk se gëlltiti një shishe me lëng, e më pas thirri “Nuk jam kriminel”.
Një ambulancë mbërriti më pas para gjykatës, ndërsa një helikopter u ul po ashtu. Disa punonjës të shërbimeve të emergjencave hynë në ndërtesë me pajisjet e tyre.
Praljak, ish-komandant i mbrojtjes boshnjako-kroate, u burgos për krime kundër njerëzimit. I informuar se ushtarët ishin mbledhur përreth myslimanëve në Prozor, në verën e vitit 1993, ai – sipas gjykatës – kishte dështuar të ndërmerrte ndonjë masë për ta ndaluar atë.
Ai po ashtu nuk kishte vepruar pas informacioneve se ishin planifikuar vrasje dhe sulme mbi pjesëtarët e organizatave ndërkombëtare dhe pronave në Mostarin lindor. Përkrah tij, i akuzuar ishte edhe Jadranko Prliç, ish-kryeministri i kroatëve të Bosnjes.
Javën e kaluar, Gjykata e Hagës dënoi me burgim të përjetshëm Ratko Mladiçin, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjes. Gjykata pritet të mbyllë dyert në fund të këtij viti.
Top Channel