Kënga e shndërruar në hit “Despacito” vazhdon ta mbajë gjallë suksesin.
Versioni në bashkëpunim me Justin Bieber u nominua për çmimin Grammy në dy kategori të rëndësishme, atë për këngën dhe regjistrimin më të mirë të vitit.
Kandidaturat për edicionin e 60-të Grammy Awards, u shpallën të martën nga këngëtarja Andra Day. Reperi Jay Z ishte ai që mori më shumë nominime nga të gjithë, plot 8 të tilla përfshirë për këngën, regjistrimin e albumin më të mirë të vitit për “4:44”.
Një prej të papriturave më të mëdha, ishte mos përfshirja e këngëtarit popullor Ed Sheeran në kategoritë kryesore. Ai u nominua për performancën më të mirë, për “Shape of You” ndërsa “Divide” është në garë për çmimin e albumit më të mirë Pop. Nuk u kandidua as singelli i Taylor Swift, “Look what you made me do”.
Kategoritë më të rëndësishme u dominuan nga artistët me ngjyrë, ndryshe nga Hollywood i kritikuar per mungesë diversiteti në listën e të kandidaturëve.
Mbizotëruan gjithashtu kategoritë Rap dhe R&B. Përpos Jay Z, në garë për regjistrimin dhe albumin e vitit janë, Kendrick Lamar, Childish Gambino dhe Bruno Mars. Çmimet Grammy do të ndahen në 28 janar, në një ceremoni të mbajtur në qytetin e New York.
Top Channel