Partia Demokratike do të paraqesë 16 amendamente për të kundërshtuar atë që kreu demokrat e cilëson buxheti i pastrimit të parave.
“Të zhbëjmë sistemin kriminal të taksave që është ndërtuar këto 4 vite duke propozuar taksën e sheshtë 9 %. TVSH 15 %, si dhe rritjen e nivelit për mbledhjen e TVSH në 12 milionë lekë të reja. Ne do të propozojmë që blloku i parave që do t’u jepet si dhuratë, si pate e pjekur oligarkëve dhe karteleve të krimit për të pastruar paratë e drogës, këto para të shkojnë aty ku shoqëria, Shqipëria, vendi ka më shumë nevojë”, deklaroi kreu i PD.
Basha nënvizoi edhe njëherë qëllimin e Partisë Demokratike për t’i shkurtuar mandatin kësaj qeverie.
“Synimi ynë është, së pari të frenojmë projektin kriminal të buxhetit 2018 të pastrimit të parave të pista, së dyti të bëjmë gjithçka edhe brenda hapësirës fare të ngushtë institucionale që ekziston në Parlament, për t’i shkurtuar mandatin një qeverie të papërgjegjshme, një kryeministri që sundon përmes gënjeshtrës dhe propagandës, një qeverie dhe një kryeministri të faktuar tashmë përpara gjithë botës si të lidhur me krimin dhe përfitues nga kartelet e drogës”, u shpreh Basha.
Top Channel