Kriza e rezultateve te Borussia e Dortmundit, me shumë gjasa do të sjellë ndryshime në pankinë para fundit të këtij viti.
Në valën e trajnerëve të përfolur për të zëvendësuar Peter Bosz në pankinën e skuadrës nga “Signal Iduna Park”, tani është përfshirë dhe spanjolli Luis Enrique.
Tekniku iberik nuk ka marrë përsipër një skuadër që prej largimit nga Barcelona, me kontratën e tij që skadoi qershorin e këtij viti. Por, sipas medieve gjermane, Lucho është kontaktuar disa herë nga drejtuesit e Dortmundit për të provuar një eksperiencë të re, në një prej klubeve më të dashur të Bundesligës.
47-vjeçari po shijon ende pushimet, por oferta e Borussias mund ta intrigojë edhe më shumë skenarin që parashikonte Luis Enrique për veten e tij. Katër humbje dhe dy barazime në 6 ndeshjet e fundit të Borussias së Dortmundit e kanë vënë në një pozicion shumë të keq trajnerin Peter Bosz, si dhe vazhdimësinë e tij në drejtimin e ekipit gjerman.
Borussia Dortmund është në vendin e 5-të të Bundesligës për momentin, një pozicion aspak komod për atë që konsiderohet skuadra anti-Bayern në Gjermani. Kandidat tjetër potencial është Julian Nagelsmann, trajneri aktual i Hoffenheimit.
Top Channel