Gjykata Penale në Shkup dërgoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për 6 deputetë, pikërisht Kristo Mukoski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Ljupço Dimovski, Zhaklinë Peshevska dhe Ljuben Arnaudov.

Kërkesa nga gjykata bëhet pas valës së arrestimeve që vuri në pranga 36 persona, të cilët Prokuroria i akuzon për terrorizëm dhe cënim të rendit kushtetues dhe ka kërkuar masën e paraburgimit. Arrestimet u bënë në lidhje me dhunën që përfshiu Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të këtij viti.

Disa nga deputetët për të cilët u kërkua heqja e imunitetit janë ndalur dhe po merren në pyetje në Gjykatën Penale, ndërsa për të tjerët autoritetet thanë se nuk kanë mundur t’i gjejnë.

Mediet maqedonase raportojnë se për çështjen e imunitetit të deputetëve pritet kthimi nga Suedia, të mërkurën, i kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Burime nga Kuvendi thonë se, Xhaferi do t’i paraqesë këto kërkesa në Komisionin për Çështjet e Mandateve dhe Emërimeve, e do të thërrasë enkas një seancë për to.

Ndërkohë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski e cilësoi aksionin policor si një përpjekje për të larguar vëmendjen e publikut nga problemet e vërteta të Maqedonisë. Arrestimin e deputetëve dhe personave të afërt me partinë e tij, Nikola Gruevski e cilësoi si “akti i fundit i larjes së hesapeve me maqedonasit me mendje të lirë”.

Në të njëjtin kuadër, presidenti Gjorge Ivanov tha se, përgjegjës për dhunën e 27 prillit në Kuvend duhet të ketë, por theksoi se qytetarët nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si një organizatë terroriste, ndërsa shprehu shqetësim për hakmarrje politike që nxit frikë dhe destabilizim.

Para reagimeve politike, me qindra qytetarë protestuan para Gjykatës Themelore të Shkupit dhe kërkuan lirimin e të arrestuarve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA