Senida Mesi në Hungari: Shqipëria, e gatshme për projekte

28/11/2017 10:34

Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi mori pjesë sot në Budapest të Hungarisë në Samitin e 6-të mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, e njohur si NISMA 16+1, nisëm e cila synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

Drejtimet dhe fushat e bashkëpunimit në kuadër të kësaj Nisme, janë në të njëjtën linjë me prioritetet aktuale që ka Shqipëria dhe në shumë prej tyre, vendi ynë ka mundësi për të ofruar dhe realizuar bashkëpunime e përfitime konkrete në fusha të ndryshme si: energjia, infrastruktura, transporti, industria nxjerrëse dhe përpunuese e mineraleve, bujqësia, zonat ekonomike, arsimi, kultura etj.

Në fjalën e saj, Zëvendës Kryeministrja Mesi duke theksuar rëndësinë e kësaj nisme si një instrument shumë i mirë bashkëpunimi ndërmjet shteteve në drejtim të rritjes dhe përforcimit edhe më tej të marrëdhënieve mes tyre në fusha të ndryshme, nënvizoi faktin se Shqipëria e shikon këtë nisëm si një platformë të rëndësishme komunikimi dhe ndërveprimi.

Në të njëjtën kohë, Znj/Mesi theksoi gatishmërinë e vendit tonë për të vazhduar angazhimin me projekte konkrete kombëtare dhe ndër-rajonale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, energji, turizëm apo bujqësi, gjëra të cilat do të përmirësojnë edhe më tej cilësinë dhe efektivitetin e këtij partneriteti.

Në kuadër të samitit, u firmosën 2 marrëveshje bashkëpunimi me Kinën: një në fushën e doganave dhe një në fushën e energjisë, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve.

Përveç takimeve të liderëve, samiti u shoqërua edhe me një forum biznesi dhe me takime mes koordinatorëve kombëtarë të çdo vendi. Në të njëjtën kohë, u firmos edhe “Udhërrëfyesi i Budapestit”, i cili do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse.

Shqipëria mbetet mbështetëse e çdo nisme që sjell përfitime të ndërsjella për ekonominë dhe popujt tanë dhe është e vendosur për të ndjekur nismat e ndërmarra duke u përpjekur t’i kombinojë ato me agjendën e integrimit evropian, të cilat së bashku janë dhe duhet të jenë në unison të plotë, me qëllim harmonizimin e projekteve të Nismës me standardet dhe kuadrin ligjor të BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA