Prezantohet Gattuso: Milani, përgjegjësi e madhe për mua

28/11/2017 16:55

Gennaro Gattuso u prezantua si trajner i Milanit, duke u rikthyer në skuadrën që ai e cilëson si shtëpinë e tij, për të ringritur kuqezinjtë në zonat e larta të renditjes.

Ish-mesfushori energjik u duk disi i hutuar në konferencën në krah të administratorit Mirabelli, por kërkoi disiplinë dhe sakrificë.

“Është një ditë e rëndësishme dhe përgjegjësi e madhe për mua, por gjithashtu kënaqësi për një ekip që ka 16 futbollistë të kombësive të ndryshme. Në Itali nuk mund ta quash asnjëherë veten ekspert, por unë kam më shumë se 100 ndeshje në pankinë. Milani ka individë shumë të mirë, por këtë duhet ta përkthejmë në një skuadër”, tha Gennaro Ivan Gattuso, trajner i Milanit.

Trajneri i ri i Milanit nuk pranoi të vendoste objektiva, në një sezon që kuqezinjtë e nisën si pretendentë për titullin, por tani duhet të kapin kupat e Europës.

“Nuk mendoj për Championsin dhe nuk dua të shikoj renditjen. Të dielën është Benevento dhe këtë ndeshje do ta përgatis sikur të ishte finalja e Botërorit. Kam rrezikuar gjithmonë dhe nuk jam nga ata që bëj llogaritë, por jam në një nga skuadrat më të mëdha në botë dhe kam mundësi të pabesueshme”, shtoi ai.

Gattuso do ta bëjë debutimin e tij te Milani të dielën, në orën 12:30, në ndeshjen ndaj Beneventos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA