Policia australiane parandaloi një sulm terrorist që do të godiste Melburnin gjatë festimeve për vitin e ri.
Një 20-vjeçar u vu në pranga e do të akuzohet për terrorizëm. Autoritetet pretendojnë se i riu kishte planifikuar të qëllonte me armë zjarri persona të rastësishëm, në sheshin e federatës në qendër të qytetit.
Policia siguron qytetarët se nuk ka të dyshuar të tjerë që mund të kërcënojnë sigurinë publike. Siç mësohet, i riu që ka lindur në Australi nga prindër somalezë, kishte blerë një armë automatike para arrestimit në periferi të Melburnit.
Ai kishte qenë në monitorim të policisë, që prej muajit janar. Autoritetet thonë s 20-vjeçari kishte siguruar një manual të Alkaedës në internet, me udhëzime për kryerjen e një sulmi terrorist dhe ishte simpatizant i te ashtuquajturit Shteti Islamik.
E megjithëse kishte patur lidhje me ekstremistë besohet se po vepronte i vetëm për sulmin gjatë ndërrimit të viteve.
Apartamenti, biznesi ku punonte dhe prona e një të afërmi te tij u bastisën nga hetuesit. Edhe vitin e kaluar policia tha se kishte parandaluar një sulm terrorist në ditën e Krishtlindjeve në Melburn, ku sheshi i federatës ishte mes shënjestrave të mundshme.
Top Channel