Përveç Vlorës, Festa e Flamurit ka ndezur atmosferën edhe në Tiranë, ku çdo aktivitet i organizuar ka përcjellë nota dhe simbole kombëtare. Festa ka nisur me vendosjen e kurorave me lule pranë Monumentit të Pavarësisë.
Me himnin kombëtar në sfond, të sjellë këtë radhë nën melodinë e 100 kitarave, në orën 11:00, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ngriti flamurin në Tiranë pak më parë se ta ngrinin ata në Vlorë.
Në këtë ditë të rëndësishme të shqiptarëve, Veliaj theksoi një mesazh për të çuar para projektin e Ismail Qemalit.
“Kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Është një ditë e shenjtë për të gjithë ne, një moment për të kujtuar sesa shumë rrugë kemi bërë që nga ajo ditë e largët 105 vjet më parë, kur baballarët e kombit shpallën Pavarësinë e Shqipërisë tonë. “Shqipëria nuk është vetëm atdheu, nuk është vetëm shteti ynë. Shqipëria është projekti ynë i përbashkët. Dhe besoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite. Shqipëria është projekti i përbashkët për çdo brez për të bërë pjesën e vet, detyrën e vet, misionin e vet dhe për ta çuar vendin më përpara”, deklaroi ai.
Gjatë gjithë ditës kanë vijuar aktivitete të organizuara enkas për grupmosha të ndryshme. Edhe fëmijët kanë kanë shijuar Ditën Pavarësisë.
Në Bulevardin e Ri janë zhvilluar përveç aktiviteteve kulturore edhe gara me motorë.
Bashkia e Tiranës ka organizar aktivitete edhe për 29 Nëntorin, ku përveçse institucionet kulturore do të jenë të hapura për publikun, në darke një koncert i madh në Sheshin Skënderbej, që nis me Kamela Islamaj dhe Alban Ramosaj, për të kulmuar tek e prefera e të rinjëve shqiptare që vjen posaçërisht për këtë natë, Emili Sande.
Top Channel