Komisioni Parlamentar i Ekonomisë vendosi me votat e mazhorancës të heqë akcizën e pijeve energjike.
“Propozimi im është që për pijet energjetike të shfuqizohet akciza”, tha Ervin Bushati.
Akiza mbi pijet energjike u vendos në janar të vitit 2014 me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Në atë kohë na keni akuzuar këtu si të korruptuar se pse ne nuk kishim vënë akcizë mbi pijet. Kush është i korruptuar tani? Vazhdon paketa fiskale me përfitues me emra konkret dhe të veçantë”, deklaroi Jorida Tabaku.
“Tregu lëviz. Nuk është një kompani, por janë disa. Ajo që po themi është që vendosja e akcizës nuk e ka ulur konsumin e tyre. Duhet të shikojmë një zgjidhje tjetër më vonë, për të ndaluar konsumin për fëmijët të sëmurët me diabet etj”, tha Ervin Bushati.
Edhe pse e cilësoi si një masë klienteliste Partia Demokratike nuk votoi kundër heqjes së akcizës, por nuk mori pjesë në votim. E vetmja votë kundër ishte ajo e deputetit socialist Erjon Braçe.
Akciza per pijet energjike, është 30 lekë për litër. heqja e saj ul të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 2 milionë euro në vit.
Top Channel