Gomonia me 1.6 tonë hashash, grekët japin detaje, hesht policia shqiptare

27/11/2017 15:09

Policia greke publikoi të dielën pamjet e ndjekjes së gomones me 1.6 drogë që dyshohet të jetë nisur nga Shqipëria. Korrespondenti i Top Channel në Athinë Artur Bibe, duke iu referuar burimeve policore greke, raportoi se gomonia është nisur nga Himara.

Siç duke edhe nga pamjet, personat që ndodhen në gomone hedhin në det edhe aparatet celularë. Polica greke dyshon se me këtë grup është përballur edhe 10 ditë më parë gjatë transportimit të një sasie tjetër kanabisi, që dyshohet se ishte nisur po nga Shqipëria.

Siç pohon vetë policia greke, angazhimi për të shkatërruar këtë grup trafikantësh ka qenë maksimal: “Në skaf ndodheshin dy shqiptarë dhe një italian, të cilët u arrestuan. Ndërkohë që u sekuestrua edhe një sasi prej 1.6 tonë lëndë narkotike. Gjithashtu në sajë të hetimeve që u nisën për ngjarjen, u arrestuan edhe pjesëtarë të tjerë të grupit me role të ndryshme në trafikimin e lëndëve narkotike, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 10 persona, ndër të cilët 6 shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një shtetas grek. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë”, u shpreh Nikolaos Lagadianos, zëdhënës i Rojës Bregdetare Greke.

“Ky operacion ishte shumë i rrezikshëm për një sërë arsyesh, pasi ata përdorin gomone shumë të shpejta. Trafikantët mbanin me vete armë si dhe ata bënin manovrime të rrezikshme në det edhe prej faktorit të errësirës”, tha Giannis Argiriu, shef i sigurisë së Rojës Bregdetare.

I gjithë operacioni i fundjavës u filmua nga kamerat e fuqishme të një helikopteri të policisë greke.

Mjeti lundrues është pikasur fillimisht në Korfuz dhe ndjekja ka vijuar deri në Kallamata për të përfunduar pranë ishullit të Keas në jug të Athinës.

Pas ndjekjes për disa orë dhe shkëmbimit të zjarrit, në pamje duket që trafikantët dorëzohen duke ngritur duart lart pas plagosjes edhe të njërit prej tyre. Vetëm të hënën policia greke bëri të ditur identitetin e të plagosurit. Ai është Alban Baxheri me origjinë dhe banim në Sarandë në shtëpinë e të cilit policia e Sarandës mësohet se ka kryer edhe një kontroll ditën e hënë.

Por ky kontroll nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia shqiptare. Të njëjtat burime pohojnë se kontrolli në shtëpinë e Baxherit nuk është i vetmi. Po në Sarandë është kryer kontroll në banesën e një tjetër personi, që dyshohet të ketë qenë në bordin e gomones së bashku me një shtetas italian. Përveç tre personave në bordin e gomones, numri I përgjithshëm I të arrestuarve nga policia greke ka shkuar në 10 persona, 6 nga të cilët shqiptarë, por mes tyre ka edhe shtetas grekë dhe italianë. Vetë Baxheri rezulton të jetë plagosur pak muaj më parë pas një sherri në qytetin bregdetar.

Ekipi i Top Channel e ka raportuar përgjatë gjithë fundjavës këtë ngjarje. Kurse pamjet skafit që mbërrin në portin e Pireut të xhiruara ekskluzivisht nga operatori Ilia Poçi, janë përdorur edhe nga televizionet greke. Deri të hënën, policia shqiptare nuk kishte asnjë reagim për këtë rast.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA