Arrestohet në Tiranë autori i dyshuar i plagosjes së 3 personave në Vlorë

26/11/2017 15:13

Policia ka vënë në pranga ditën e sotme në zonën e “Unazës së Re” në Tiranë një 32-vjeçar, i cili dyshohet si autor i plagosjes së 3 personave, në një ngjarje të ndodhur në muajin janar të këtij viti në Vlorë, por akuzohet edhe për disa vepra të tjera penale.

Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda në D.V.P.Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së shtetit, pas një pune dhe hetimi intensiv për kapjen e ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme dhe në tre banesa në Tiranë e Vlorë, ku dyshohej se mund të fshihej një shtetas i shpallur në kërkim.

Mbi bazën e informacioneve të siguruara nga qytetarët është lokalizuar vendndodhja e tij në një lokal pranë vendit të quajtur ”unaza e re” në “Astir”, Tiranë.

Si rezultat i ndërhyrjes profesionale të Policisë është kapur dhe ndaluar shtetasi : Blendo (Edison) Alikaj, 32 vjeç, banues në Vlorë. Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën ”Arrest me burg”, pasi dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur në qytetin e Vlorës më datë 04.01.2017, në lagjen ‘’Hajro Çakërri’’, pranë Poliklinikës, ku ka qëlluar me armë zjarri automatik, për pasojë kanë mbetur të plagosur tre shtetas.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një nga banesat në Vlorë janë gjetur dhe sekuestruar 3 fishek pistolete, 1 palë dorashka të zeza dhe 1 kapuç-maskë.

Gjithashtu në përfundim të veprimeve hetimore të kryera prej Policisë ka rezultuar si autor i dyshuar në ngjarjet e ndodhura më parë dhe konkretisht:

Më datë 03.11.2016, në lagjen ”Isa Boletini” tek lulishtja e Kalit të Trojës, sëbashku me një tjetër shtetas dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri automatik.

Më datë 18.05.2017, në vendin e quajtur ”Jonufër” së bashku me tre shtetas të tjerë dyshohet se ka shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës një tjetër shtetas për dhënien e një shume të caktuar lekësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA