Në dy ditë mbledhje të përbashkët, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të firmosin 4 marrëveshje. Axhenda tashmë është gati.
Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, do të takohen të hënën dhe të martën, më datë 27 dhe 28 nëntor, në Korçë dhe Vlorë.
Mbledhja e përbashkët do të nisë në orën 16:00 të së hënës dhe në orën 17:15 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj.
Të dy delegacionet do të zhvendosen në ditën e pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ku në mesditë do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”.
Pas ceremonisë, do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Pas axhendës së ditës, dy delegacionet do të nisen për në Tiranë, ku do të marrin pjesë në pritjen që organizohet nga Presidenti i Republikës, me rastin e festës kombëtare. Edhe qeveria e Kosovës ka shpallur ditën e 28 nëntorit, si festë kombëtare dhe ditën e shqiptarëve.
Top Channel