Ndërsa fermerët e duhanit në Dumre kishin problem se nuk kishin marrë parat nga shitja e prodhimit, fermerët e duhanit në Shkodër japin alarmin se me tonelata prodhim po rri stok pasi nuk kanë ku ta shesin dhe për këtë fajësojnë politikat qeveritare ndër vite.
Xhevat Ceka është një nga fermerët e duhanit në zonën e Postribës. Mbjellja dhe shitja e duhanit është e vetmja mënyrë që sigurohen të ardhura. Xhevati thotë se ka 30 kuintal prodhim duhani që i qendron stok pasi nuk ka treg.
“Ne mbjellim, prodhojmë, po nuk ka treg shitje. Unë mendoj nganjëherë ta shes me koston e prodhimit të mos fitoj asgjë dhe të bëhet diçka. Të paktën ta heq prej shtëpisë”, thotë Xhevat Ceka.
“Ne prodhojmë, mesatarja është 3 kuintal dynymi, i thonë 10 dynym, 30 kuintal dhe nuk ka treg shitje”, shprehet Nuh Selimi, fermer duhani.
Rajoni i Mbishkodrës është i njohur në të gjithë vendin për cilësinë e duhanit por shitja mbetet shqetësim për çdo fermer.
Kujtojmë dhe përleshjen e tregtarve të duhanit një vit më parë me policinë, pasi tregtarët nuk lejoheshin të tregtonin duhanin në tregun me pakicë.
Top Channel