Henrikh Mkhitaryan është zhdukur shpejt nga radarët e tifozëve të Manchester United, duke humbur vendin në skuadrën e futbollit anglez, pavarësisht disa paraqitjeve mbresëlënëse që kishin ngritur kuotat e tij.
Mesfushori nga Armenia është lënë jashtë në dy ndeshjet e fundit, një sinjal i qartë se trajneri Jose Mourinho nuk i beson më si më parë një rol, në një repart kyç.
Disfata e fundit në Champions League ndaj Bazelit nisi serinë e një kalendari sfilitës për “djajtë e kuq”. Formacioni ishullor do të luajë plot 13 ndeshje në vetëm 40 ditë, e Henrikh Mkhitaryan do të ketë sërish shansin që të tregojë sesa vlen.
Por, në rast të kundërt, për futbollistin armen do të profilizohet një shitje e shpejtë për të mos humbur milionat e investuar.
28-vjeçari nuk po gjen dot më rrugën e formacionit, pas rikuperimit të Paul Pogba, Marouane Fellaini dhe Zlatan Ibrahimoviç. Për më tepër, trajneri Mourinho po i beson më shumë Rashford dhe Martial në pozicione jo të natyrshme për sulmuesit.
Ish-futbollisti i Shakhtar Donetsk dhe Borussias së Dortmundit ishte mes lojtarëve më të mirë në sezonin e kaluar, me 11 gola që frymëzuan United drejt suksesit në Europa League.
Top Channel