Miliona njerëz kanë mbushur rrugët e Nju Jorkut në paradën e Ditës së Falenderimeve, duke u mahnitur nga një balonë gjigante heliumi me imazhin e “Hello Kitit” që ngrihej mbi qiellgërvishtëset e Manhattanit, pasuar nga një olaf po gjigant fluturues dhe i preferuari i të gjithëve, Charlie Brown.
Në paradën e përvitshme në edicionin e 91-të të saj, po ashtu u panë edhe yje si Gwen Stefani, Jimmy Fallon etj., ndërkohë që pati performanca nga Anastasia e Broadway, Dear Evan Hansen dhe Sponge Bob, Square Pnts, Plus edhe dhjetëra banda të tjera.
Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme, kjo edhe për shkak të sulmeve të fundit terroriste mbi civilët në SHBA. Makthi i Las Vegasit, ku humbën jetën mbi 58 vetë, apo ai i Nju Jorkut në prag të “Halloween”-it me 8 viktima, bëri që policia të merrte masa shtesë sigurie, me qëllim që të evitohej një tragjedi e mundshme.
Autoritetet thanë se nuk kishin ndonjë konfirmim për një kërcënim të mundshëm, por sidoqoftë duhej të ishin të përgatitur. Megjithatë, njujorkezët refuzuan frikën dhe dolën me qindra e mijëra nëpër rrugë, për të parë imazhet e reja dhe ato të vjetra, të shpaloseshin në marshimin e Ditës së Falenderimeve.
Top Channel