Dezertimi i ushtarit, Koreja e Veriut fortifikon kufirin

24/11/2017 12:04

Koreja e Veriut ka zëvendësuar rojet dhe ka fortifikuar një sektor të kufirit të saj me Korenë e Jugut, atje ku një ushtar koreano-verior vuri në skenë dezertimin e tij javën e shkuar, ndërsa ushtarët koreano-jugorë dhe amerikanë janë marrë vesh për rolin e tyre në shpëtimin e tij.

Një transhe është gërmuar nga ushtarët koreano-veriorë dhe janë mbjellë një numër pemësh, në zonën ku më 13 nëntor, një dezertor mundi të kalonte kufirin dhe të hynte në zonën e demilitarizuar që ndan Korenë e Veriut nga ajo e Jugut.

Dezertori koreano-verior u qëllua dhe u plagos nga ushtarët e Veriut, ndërsa mundi të hynte në anën koreano-jugore. Ushtarë koreano-jugorë dhe amerikanë, që udhëhoqën përpjekjen për ta nxjerrë dezertorin nga rreziku, kanë marrë ndërkohë medalje për aktin e tyre.

Një grup diplomatësh të lartë me bazë në Seul vizituan zonën e demilitarizuar dhe panë atje 5 ushtarë koreano-veriorë që gërmonin një transhe, në zonën ku ushtari kishte kapërcyer kufirin. Në një foto të publikuar në “Twitter” nga ambasadori amerikan në Korenë e Jugut, ushtarët koreano-veriorë shiheshin me lopata në duar, ndërsa ushtarë të tjerë qëndronin roje.

Ndërsa një zyrtar i zbulimit, i cituar nga agjencitë e lajmeve koreano-jugore, thotë se Peniani ka zëvendësuar 35-40 ushtarë nga pika, pas incidentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA