Futbolli gjerman ka qenë thuajse gjithmonë një model për t’u marrë shembull, me planin afatgjatë të zhvillimit, rritjen e vlerës së produkteve të futbollit dhe aftësinë për t’u ringritur shpejt pas çdo krize.
Por, në kontrast me Kombëtaren kampione në fuqi të botës dhe pretendente kryesore për të rifituar titullin verën e ardhshme, klubet e Bundesligës janë në nivel më të ulët.
Duken të largëta kohët kur Bayern Munchen fitonte në finalen e Champions League të vitit 2013 kundër Borussias së Dortmundit. Këtë sezon, gjermanët rrezikojnë të zgjohen nga “gjumi letargjik” dimëror me vetëm dy të mbijetuar në kompeticionet kontinentale.
Në skenarin më të keq, Bayern në Champions dhe Leipzig në katin e poshtëm të futbollit europian, Europa League.
Bundesliga ka ende shpresë se Borussia e Dortmundit dhe Këlni do të qëndrojnë në Europa League, por mbetet një rrezik konkret që mund t’i ulë pikë futbollit gjerman. Dortmundi mban vendin e tretë në grupin e Champions League, vetëm për diferencë golash me APOEL-in e Nikosisë, por shkon në “Bernabeu” në ndeshjen e fundit, ndërsa qipriotët luajnë në “Wembley” kundër Tottenhamit.
Në Europa League, fatet e gjermanëve janë më të komplikuara, pasi në rend kronologjik, të parët që u eliminuan ishin Freiburg, Hoffenheim dhe Hertha Berlin.
Top Channel