Operatori i Shpërndarjes se Energjisë arriti të sigurojë energjinë nga importi për muajin dhjetor, duke garantuar furnizmin pa ndërprerje të konsumatorëve.
70 për qind e energjisë që do të konsumohet muajin e ardhshëm vjen nga importi, pjesa tjetër prodhohet në vend. Por kriza e prodhimit këtë vit ka pasur një faturë të kripur për financat e OSHEE, e cila ka shpenzuar tre herë më shumë para për të importuar energji krahasuar me 2016.
“Me blerjen e fundit, në total për 207 kostoja totale është rreth 172 mln euro pa TVSH”, thotë Elton Sevrani, drejtor i Divizionit Tregtar në OSHEE.
Këtu nuk është përfshirë sasia e energjisë e importuar nga KESH rreth 23 milionë euro. Kriza e thatësirës ka prekur gjithë rajonin dhe çmimet janë rritur, si për blerjen e energjisë, ashtu edhe për transmetimin e saj.
Situata duket e vështirë edhe për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, ku OSHEE është përgatitur për të shpenzuar 50 milionë euro për import.
“Duke parë që çmimet sot janë në nivele të larta, mendojmë që përsëri që një buxhet rreth 50 mln euro do të jetë i detyrueshëm, në mos më tepër për dy muajt e parë të vitit, janarin dhe shkurtin”, deklaron Sevrani.
Për 2018, vetë OSHEE nuk do të kërkojë rritje çmimi dhe faturat e importeve programon t’i përballojë duke mos bërë e investimeve të reja, pra duke finanuaar vetëm kontratat në proces.
“Nuk kemi menduar që të aplikojmë për rritje çmimi. OSHEE do të bëjë një aplikim normal për të pasqyruar të ardhurat dhe shpenzimet e saj reale, por në asnjë rast nuk do të ketë kërkesë për rritjen e çmimit për klientët fundorë”, përgjigjet Sevrani.
Top Channel