Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi deklaroi se nga subvencionet që buxheti ka dhënë gjithë këto vite për bujqësinë kanë përfituar vetëm një grusht fermerësh.
“Është rritur shumë numri i dokumentave që kërkohen për të përfituar subvencion. Kjo së bashku me përqindjen shumë të ulët të atyre që përfitojnë i kanë dekurajuar fermerët. Duhet ta themi vetëm 1 për qind e fermerëve kanë marrë subvencionet”, deklaroi Peleshi.
Kreu i bujqësisë tha se Qeveria do të ndryshojë skemën e subvencioneve duke thjeshtuar procedurat bukrokratike.
“Do t’u kërkohet fermerëve që të aplikojnë për subvencione dhe të plotësojnë me vetëdeklarim një formular. Në bazë të kritereve do të bëhet përzgjedhja e fituesve dhe vetëm fituese do të sjellë dokumentacionin që vërteton deklaratën”, shtoi Peleshi.
Vitin e ardhshëm, Qeveria do të japë 20 milionë euro subvencione për fermerët nga buxheti. Por paralelisht, janë edhe 100 milionë euro të tjera nga fondet e BE. Peleshi u bëri thirrje fermerëve të formalizohen për të përfituar nga këto fonde.
“Vitin tjetër do të ndryshojë retorika lidhur me financimet. Nuk do të diskutojmë me që s’kemi para për të mbështetur fermerët, por do të diskutojmë si t’i bëjmë fermerët të përthithin para më shumë”, u shpreh ai.
Top Channel