Me dhjetëra vetë janë evakuuar në Lancashire të Britanisë, pas përmbytjeve të befasishme gjatë natës, pasojë e shirave të rrëmbyer që kanë shkaktuar probleme të mëdha të trafikut.
Aq shumë ankesa kanë marrë shërbimet e emergjencës, sa u detyruan t’u kërkojnë banorëve të mos telefonojnë nëse nuk janë në situatën që t’iu kërcënohet jeta.
Vërshimi i ujërave bllokoi lëvizjen e trenave në zonë, e policia e North Yorkshire bëri me dije se një numër automjetesh ishin mbuluar nga uji në një autostradë kryesore.
Sipas zyrës kombëtare të Meteorologjisë, brenda 24 orëve në Lancashire ka rënë gati 4.3 cm shi.
Ndërkohë, zonat e larta të Skocisë po bëjnë llogaritë me dëborën, duke detyruar autoritetet të dilnin pak pas mesnatës me paralajmërimin për kujdes, sepse një pjesë e rrugëve dhe hekurudhave pritet të mbuloheshin prej saj në orët e mëngjesit dhe vështirësitë mund të zgjasin përgjatë të gjithë ditës.
Nuk është më e qetë situata as në jug, ku e enjtja nisi me erëra të fuqishme. Zyrtarët lokalë në Lancashire thonë se të gjitha agjencitë e zonës kanë punuar për koordinimin e përpjekjeve, me qëllim minimizimin e problemeve dhe mbrojtjen e publikut, e do të vazhdojnë të mbështesin sa më mirë të munden komunitetet më të prekura nga përkeqësimi i motit.
Top Channel