Mianmari, marrëveshje me Bangladeshin për rikthimin e “rohingya”-ve

23/11/2017 13:31

Bangladeshi firmosi me Mianmarin një marrëveshje që lejon kthimin e qindra mijëra refugjatëve “rohingya”, të larguar pas një fushate të dhunshme të ushtrisë.

Nuk ka ende detaje mbi paktin e vulosur në kryeqytetin e Mianmarit, Nay Pyi Taw, por zyrtarët thonë se pas kësaj lëvizjeje, vendi është gati të presë sa më shpejt që të jetë e mundur kthimin e “rohingya”-ve të shpërngulur myslimanë.

Por situata nuk është edhe aq e thjeshtë. Agjencite e ndihmës kanë ngritur me forcë shqetësimin se mijëra personat e larguar me tmerr nuk mund të shkelin sërish në tokën e braktisur, nëse më parë nuk u garantohet siguria.

Pakica pa shtet ka përjetuar një persekutim të gjatë në Mianmar dhe, që prej fundit të gushtit, kur situata u përshkallëzua pas shpërthimit të dhunës në rajonin Rakhine, më shumë se 600 mijë pjesëtarë të këtij komuniteti vërshuan drejt Bangladeshit fqinj.

Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson deklaroi se veprimet ushtarake të Mianmarit kundër popullsisë “rohingya” përbëjnë spastrim etnik.

Një përkufizim të tillë e kanë përdorur edhe Kombet e Bashkuara. Vet ushtria e Mianmarit e zhvesh veten nga përgjegjësia, e mohon të ketë vrarë banorë “rohingya”, t’u ketë djegur fshatrat, përdhunuar gratë e vajzat, apo plaçkitur shtëpitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA