Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions urdhëroi një rishikim të plotë të skedarit të FBI-së që përdoret për të kontrolluar të shkuarën e njerëzve që duan të blejnë armë.
Rishikimi pritet të përcaktojë sesi informacionet thelbësore për agresorin, që kreu një masakër në një kishë në Teksas, nuk ishin të regjistruara. Sessions tha se, nëse është kështu, kjo është e papranueshme.
Plot 25 persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën në masakrën e Teksasit, të kryer nga Devin Kelley, i cili më parë ishte dënuar për dhunë familjare dhe ishte shkarkuar nga ushtria, por mundi të blejë armë lirisht.
Sessions kërkoi qartësi nga agjencitë federale në rastet kur njerëzit gënjejnë në aplikimin e tyre për të blerë armë. Rregulloret për armët në SHBA thonë se, ato nuk iu shiten personave me të shkuar problematike kriminale, apo me probleme psikologjike.
Prandaj, për të blerë një armë, kushdo duhet të kalojë një kontroll të së shkuarës nga agjencitë federale, por nuk kanë munguar rastet kur njerëz që nuk duhej të kishin armë, kanë mundur t’i blejnë ato lirisht.
Kryeprokurori Sessions tha se urdhëroi FBI-në dhe Byronë e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të Zjarrit që të rishikojnë bazën e tyre të të dhënave dhe t’i raportojnë për masat që nevojiten. Nuk bëhet fjalë për ndryshime në ligjin dhe rregulloret e armëve, por thjesht për një shkundje të autoriteteve, që të mos lejojnë blerjen e armëve nga individë që ligji ua ndalon ta bëjnë këtë.
Top Channel