Njoftimi i dhënë një natë më parë nga faqja e internetit “Sevillainfo.es” është konfirmuar zyrtarisht mëngjesin e sotëm edhe nga vet klubi i Sevillës.
Trajneri Eduardo “Toto” Berizzo, i cili sapo ka mbushur 48 vite të jetës së tij, është diagnostikuar me tumor në prostatë.
Menjëherë është përfolur një ndërhyrje kirurgjikale, por komunikata zyrtare e klubit thekson se testet më të specializuara që do të zhvillohen në ditët në vijim, do të përcaktojnë edhe rrugën që do të ndiqet sa i përket trajtimit të trajnerit.
Njoftimi në fakt ka sfumuar euforinë që kaploi të pranishmit në “Sanchez Pizjuan” mbrëmjen e djeshme, pasi Sevilla, nga një disavantazh i trefishtë me Liverpoolin arriti që të mbyllte 90-minutëshin e luajtur për Champions League me rezultatin 3-3. Një rikuperim i pabesueshëm.
Sipas disa medieve spanjolle dhe angleze, Berizzo ua kishte komunikuar njerëzve pranë tij lajmin për tumorin gjatë pushimit të ndeshjes, duke ia atribuuar njoftimit të tij një pjesë të rëndësishme emocionale të asaj përmbysjeje të madhe që ndodhi dje, por e gjithë kjo është thjesht një falsitet.
Kjo, sepse trajneri ua kishte bërë të ditur diagnozën lojtarëve dhe njerëzve më të besuar disa ditë më parë.
Megjithatë, lajmi tronditës është përjetuar veçanërisht keq në Argjentinë. Atje ku një tjetër tumor, këtë herë në stomak, po largon “profetin” Bonini, mikun dhe mentorin e Berizzos. Të dy këta kanë punuar së bashku në stafin e Marcelo Bielsës, kur “El Loco” drejtonte kombëtaren e Kilit.
Gjithsesi, ajo që është për t’u theksuar është se trajneri i Sevillës, për fat të mirë është në kushte shumë herë më të mira, pasi sëmundja është kapur në fazat e hershme dhe në kohë për t’u kuruar.
Top Channel