Nxënësit e katër shkollave në Tiranë tanimë do t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në ambientet e shkollës.
Ata do të shkojnë në oren 8.00 në shkollë dhe do t’i lënë ambientet e saj në orën 17.00. Pas procesit mësimor fëmijët do të konsumojnë ushqimin, më pas do të zhvillojnë aktivitete argëtuese, për tu rikthyer sërish në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë ku përfshihet dhe ora e leximit të orientuar.
Në mbledhjen e këshilit bashkiak të enjten bashkia e Tiranës do të kërkojë miratimin e këtij projekt-vendimi. Ky projekt nis me pilotimin e saj në katër shkolla siç është ajo nëntëvjecare “Ardian Klosi”, ku ushqimi do të shërbehet katering dhe falas nga bashkia e Tiranës.
Zona në të cilën ndodhet shkolla karakterizohet me probleme të mëdha social-ekonomike ku spikat braktisja e shkollës.
Në shkollen 9-vjeçare “Hasan Tahsin” ushqimi do të financohet 50% nga bashkia dhe 50 % nga prindi i cili paguan faturën në fund të muajit. Është përcaktuar në këtë formë pasi ka një përqindje më të vogël të familjeve me probleme ekonomike në zonën në të cilën ndodhet shkolla.
Në Shkollën e Kuqe ushqimi do të financohet 100% nga prindi, ndërsa në shkollën “Betim Muço” ushqimi do të meret me vete nga fëmijët.
Në të tre modelet ku ushqimi do të shërbehet katering, do të jetë i njëjtë dhe i shëndetshëm. Për nxënësit që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike në të gjitha rastet ushqimi ofrohet falas nga bashkia.
Në projektvendimin e bashkisë shpjegohet se shërbimi pas shkolle e do të funksionojë njëlloj ku nxënësit do të mbështeten dhe ndihmohen për detyrat e shtëpisë, vështirësitë e të nxënit si dhe do funksionojnë klube të ndryshme ku mësohen vegla muzikore, kohë e lirë për lojën, akses në kompjuter e të tjera.
Ky projekt synon ofromin e alternativave edukuese mbështetëse, shkolla me miqësore larg veseve dhe sjelljeve të rrezikshme. Pas përfundimit të vitit akademik do të bëhet një vlerësim i nxënësve që do t’i frekuentojnë duke i krahasuar me shkollat kufitare me to.
Ky projekt pilot që realizohet në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe mbështetjen e fondacionit shqiptaro-amerikan të zhvillimit do të shërbejë më pas si model për tu shtrirë në të gjitha shkollat publike.
Top Channel