Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, është rikthyer në Bejrut për të parën herë që pasi njoftoi papritur dorëheqjen e tij në Arabinë Saudite, më shumë se dy javë më parë.
Hariri u prit në aeroportin e Bejrutit nga pjesëtarë të forcave të sigurisë. Hariri shkaktoi një krizë politike dhe habiti shumëkënd në vendin e tij kur dha dorëheqjen ndërsa ndodhej në Riad.
Ai mohoi spekulimet se Arabia Saudite e kish detyruar atë të kërkonte dorëheqjen si pjesë e një përplasjeje për më shumë ndikim me Iranin. Presidenti libanez, Michel Aoun, ka refuzuar të pranojë dorëheqjen e tij deri sa të kthehej dhe ta paraqiste atë personalisht.
Më vonë gjatë ditës, ata pritet të takohen. Pak pas uljes në aeroportin e bejrutit, Hariri u pyet nëse kishte një mesazh për popullin libanez. Ai u përgjigj duke thënë, “Faleminderit”. Por, kryeministri ka një mori shpjegimesh për të dhënë dhe një komb i tërë po pret për përgjigje.
Përse ai dha dorëheqjen në Arabinë Saudite dhe a do të mbajë ai të njëjtin qëndrim dhe ta çojë deri në fund dorëheqjen. Hariri, kryesoi një qeveri të unitetit kombëtar, në të cilën përfshihej edhe Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe që ka një krah të fuqishëm të armatosur.
Shumëkush madje thotë se është ky grup që në të vërtetë qeveris Libanin. Arabia Saudite, si perëndimi, e konsideron atë organizatë terroriste dhe me këtë lëvizje u duk sikur kërkonte konfrontim.
Por, përtej retorikave të ashpra, asgjë nuk është konkretizuar. Shumëkush argumenton se Arabia Saudite mund ta ketë ekzagjeruar dhe pas presionit ndërkombëtar, po kërkon tani një zgjidhje që t’i shpëtojë fytyrën dhe të zgjidhë krizën.
Top Channel