Veliaj pret homologun e Parmës, Pizzaroti: Projekte mes dy qyteteve

21/11/2017 12:56

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka pritur homologun e tij të Parmës, Federico Pizzaroti ku në fokus të bisedës ka qënë bashkëpunimi në çështje kulturore, mobiliteti dhe teknologji e avancuar në dhënien e shërbimeve të qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur që kemi filluar një bashkëpunim konkret me Parmën, kryesisht për çështjet e kulturës, por edhe për çështjet e mobilitetit dhe qytetet inteligjente. Për ne është fat që jemi pranë Italisë, pranë Parmës, që jemi pranë qyteteve që tashmë janë udhëheqëse të zhvillimit dhe modernizimit në Europë, e mezi pres që të bëjmë më shumë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzaroti, pasi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, u shpreh i kënaqur për raportet miqësore që ekzistojnë tashmë mes dy bashkive, ndërsa vlerësoi transformimin që ka pësuar sheshi “Skënderbej”. “Folëm për kulturë, ekonomi, por edhe për teknologjitë e reja, për t’i bërë qytetet më të jetueshme. Pas gati një viti, vlerësoj shumë këtë shesh fantastik, faktin që është një hapësirë pedonale, çka sjell një lëvizshmëri më të qëndrueshme dhe një hapësirë për qytetarët”, tha Pizzaroti.

Pizzaroti nënvizoi se gjatë vizitës së kthimit në Parma, pritet të nënshkruhet edhe dokument që do të zyrtarizojë miqësinë mes dy qyteteve.

Veliaj tha se për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij bashkëpunimi shumë shpejt një delegacion i Bashkisë së Tiranës do të vizitojë Parmën për të diskutuar një axhendë konkrete bashkëpunimi mes dy bashkive.

Të dy kryebashkiakët në shenjë miqësie dhe vazhdimësisë së bashkëpunimit mes dy bashkive mbollën gjithashtu një pemë në lulishten e sheshit “Skënderbej”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA