Një “dhimbje koke” për Boca Juniors, por më shumë sesa kaq për Argjentinën. Dario Benedetto ka këputur ligamentin kryesor të gjurit të djathtë, në atë dëmtim të rëndë të pësuar gjatë ndeshjes së mesnatës mes Bocës dhe Racing, të humbur nga kryesuesit e kampionatit argjentinas 1-2 në “Bombonera”.
Kur duheshin pak më shumë se 7 minuta nga fundi i takimit, sulmuesi i lindur në vitin 1990 mbështeti keq këmbën, duke pësuar një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave të blerta për shumë muaj, ndaj dhe do t’i thotë “lamtumirë” Botërorit të Rusisë.
Në këtë moment, ai që shpreson për një grumbullim me kombëtaren “albiceleste” është Gonzalo Higuain i Juventusit.
Benedetto doli jashtë fushe me barrelë dhe mes lotësh, ndërkohë që testet mjekësore konfirmuan atë që ishte më e frikshme: këputjen e ligamentit kryesor të gjurit që do ta mbajë atë për 6 deri në 8 muaj larg fushave.
Për Sampaolin tashmë do të jetë një “detyrë e vështirë” përzgjedhja e zëvendësuesit të tij, pasi në garë janë Mauro Icardi, Gonzalo Higuain dhe Sergio Aguero, që të tre në pozicione të favorshme me ekipet e tyre respektive, por me sulmuesin zikaltër më favorit.
Top Channel