Golden State zhvilloi një ndeshje heroike ndaj Philadelphias, për të regjistruar fitoren e 12 sezonale në NBA. Në Wells Fargo Center, kampionët e NBA-së e panë veten në vështirësi të mëdha, pas shkuani në pushimin e sfidës me disavantazhin e 24 pikëve.
Por pas pushimit të ndeshjes, gjërat ndryshuan krejtësisht. Golden State në periodën e tretë të sfidës zhvilloi një lojë praktikisht perfekte duke e mbyllur këtë fraksion 47-15. Protagonisti absolut u bë pikërisht ylli i kësaj skuadre Stephen Curry, që në këtë 12 minutësh shënoi 20 nga 35 pikët e tij totale. Por Curry nuk ishte i vetëm në këtë përmbysje të madhe të Golden State, pasi dha kontributin e tij edhe Kevin Durant me 27 pikë.
Boston është kthyer në një skuadër të frikshme për çdo skuadër që i vihet përballë.
Skuadra nga Masachusets mundi Atlantën 110-99, duke regjistruar fitoren e 15 radhazi. Kyrie Irving si zakonisht, bëri një paraqitje mjaft të mirë me 30 pikë të shënuara, 15 nga të cilat i realizoi në gjuajtjet nga distanca. Ndeshje fantastike edhe për Jaylen Brown, që e mbylli atë me 27 pikë, kuota më e lartë e pikëve e shënuar prej tij në karrierë deri tani.
Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Houston mundi Memphis 105-83 dhe ruan kreun e klasifikimit në konferencën e Perëndimit, Clippers u mund edhe nga Charlotts 87-102, ndërsa Dallasi i dha fund serisë së humbjeve, duke mundur Milwaukeen 111-79 për të shënuar fitoren e 3-të sezonale.
Top Channel