Numri i viktimave nga aksidentet rrugore në vend është ulur. Herë pas here policia ndërmerr aksione për ndërgjegjësimin e publikut, siç ka bërë këtë të dielë, në javën e sigurisë rrugore.
“Janë rreth 40 viktima më pak në raport me 2016-n”, deklaron Mitat Tola, drejtor i Policisë Rrugore.
Siguria rrugore cënohet nga një sërë shkaqesh, që nga cilësia e rrugëve dhe sinjalistika rrugore, deri tek sjellja e drejtuesit të mjetit. Policia synon të godasë pikërisht disa prej sjelljeve tipike të drejtuesve, që janë burim aksidentesh.
Prej më shumë se një viti në Parlament qëndron në “sirtar” një paketë propozimesh ligjore që parashikon ndër të tjera rritjen e gjobës për përdorimin e celelularit në makinë.
“Përdorimi i celulari është një nga problemet kryesore. Drejtuesit e mjetit e kanë kthyer në modë përdorimin e tij dhe nuk besoj se do të mund ta ulim me vlerën aktuale të masës administrative prej 15 mijë lekë të vjetra”, thotë Tola.
Për këtë fenomen, policia ka propozuar që vlera e gjobës të 10-fishohet. Ndërkohë, vetëm gjatë mbrëmjes së të shtunës, 5 drejtues mjetesh u arrestuan në gjendje të dehur.
Gjoba këmbësorëve? Kodi e parashikon, policia s’di si të veprojë
Disa herë policia rrugore ka paralajmëruar se do të nisë aplikimin e gjobave edhe për këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit, duke u kthyer në burim aksidentesh. Por në terren asnjë gjobë nuk është vendosur.
Top-Channel kontaktoi disa efektivë të nivelit zbatues, të cilët thanë se aktualisht ka një vakum ligjor pasi mungon një udhëzim i cili duhet të përcaktojë dhe normojë kushtet e vendosjes së masës administrative dhe vjeljen e gjobës ndaj këmbësorit.
Nga analizat e policisë rezulton se në aksidentet automjet-këmbësor, në shumicën e rasteve fajtor janë këta të fundit, të cilët nuk respektojnë kalimin tek vijat e bardha ose dalin befasisht në rrugë.
Top Channel