Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka deklaruar se aktiviteti Diplomacia Ekonomike është vetëm një farsë përsa kohë krimi është ulur në krye të qeverisë dhe përzë investimet e huaja.
“Që droga dhe krimi i organizuar janë ulur këmbëkryq në Shqipëri e thotë BE, SHBA, OSBE dhe gjithë mediat botërore. Kur e thotë opozita shqiptare, sipas kryeministrit dhe ca e ca të tjerëve që i rrijnë nga pas është faj, gabim dhe herezi”, ka deklaruar Vasili.
Ai ka theksuar se tashmë nuk ka asnjë dyshim se droga dhe krimi i bërë njësh me pushtetin po e shkatërrojnë vendin dhe përgjegjës për këtë është vetëm kryeministri.
“Përgjegjësia ka vetëm një emër, që është kryetrafikanti që urdhëroi të pengohej drejtësia për ish-ministrin e akuzuar nga Europa. Edhe për këtë e gjithë Europa po flet. Ndaj largohen investimet e huaja, sepse pushteti i grabit me taksa e ryshfete pa fund, ndërsa krimi i mbështetur nga qeveria i rreh dhe i gjymton”, ka thënë Vasili.
Ai ka shtuar se, fjalimet e kryeministrit për diplomaci ekonomike janë një humor me të cilin qeshin e gëzojnë trafikantët dhe qajnë e hidhërohen shqiptarët.
Top Channel