Avokati i zhdukur, gjendet një trup i pajetë në Itali. Dyshohet të jetë Besnik Muço

18/11/2017 16:11

Një pistë makabre për avokatin e zhdukur shqiptar mund të çojë drejt Castros, një provincë e Lecces. Të dhënat e para për këtë lajm janë publikuar që dje, por deri mbrëmjen e së premtes nuk pati asnjë konfirmim.

Trupi i pajetë i gjetur mund t’i përkasë  Besnik Muços, avokat nga Macerata me origjinë shqiptare i moshës 54-vjeçare, që rezulton i zhdukur prej 2 nëntorit. Trupi është gjetur 12 ditë më parë në ujërat e Castros.

Për momentin bëhet fjalë vetëm për një hipotezë për hetuesit, që do të konfirmohet në vijim ose do të përgënjeshtrohet vetëm pas testit të ADN-së.

Megjithatë, gjasat janë të rënda që të jetë trupi i tij. Zhdukja e tij është raportuar më 5 nëntor në zonën Punta Correnti, por për shkak të kushteve të rënduara të motit, ishte e pamundur të rikuperohej trupi, që u mor vetëm një ditë më pas.

Prej atëherë e deri më sot, dihet se ai ishte nisur më 2 nëntor me një traget të linjës “Adria Ferries” nga Durrësi me destinacion Barin. E pasi kishte kaluar kontrollet portuale, në orën 23 të mbrëmjes celulari i tij ishte fikur.

Nga ai moment askush nuk ka mundur të komunikojë me të. E shoqja, Raimonda, e cila jeton në Macerata, nuk e dinte se bashkëshorti i saj do të kthehej atë ditë, e aq më pak të imagjinonte se mund të kishte marrë tragetin, pasi zakonisht ai udhëtonte vetëm me avion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA