Punimet për rehabilitimin e portit të Vlorës janë ndërprerë prej më shumë se 5 muajsh. Projekti, një investim italo-shqiptar prej 15 milionë eurosh, ishte parashikuar të përfundonte në fund të vitit 2016.
Pjesa më e madhe e punimeve është kryer dhe firma ka marrë mbi 10 milonë euro, por puna ka ngecur në sheshimin e pistës së trageteve dhe rinisjen e thellimit të basenit. Drejtoria e Portit fajëson italianët.
“Firma italiane “Piacentini”, që kryen punimet është shkaku i pezullimit të këtyre punimeve. Kjo firmë ka krijuar probleme jo vetëm në Vlorë, por kudo që kryen punime”, deklaron drejtori i portit Admir Malaj.
Malaj shprehet se firma ka probleme me fondet nga qeveria italiane dhe këto janë problemet e tyre.
Porti i Vlorës është konceptuar si pjesë e projektit “Lungomare”, që vazhdon nga porti drejt Pyllit të Sodës. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i një porti jahtesh, si dhe ndërtimin e një sheshi kryesor mallrash dhe një terminali modern udhëtarësh.
Top Channel