Muzeu i Biblës në SHBA, mes polemikave politiko-fetare

15/11/2017 12:30

Muzeu i shumëpritur i Biblës, me mijëra tekste biblike e artefakte, çel dyert më 17 nëntor, vetëm disa blloqe larg Kapitolit në Shtetet e Bashkuara.

Me objekte që nisin nga fragmente të rrotullave të detit të vdekur e deri tek pllakat kuneiforme dhe ekspozita high-tech, apo një kopësht biblik, ideatorët e muzeut shpresojnë se ai i përmbledh pak a shumë të gjitha dhe aty çdokush do të ndihet i mirëpritur.

“Edhe nëse jeni ateistë, ne duam t’ju ndihmojmë të ndiheni rehat me ardhjen këtu, duke e ditur se ne nuk përpiqemi të promovojmë axhendën apo besimin tonë. Ne duam vetëm që të mësoni diçka rreth këtij libri, të frymëzoheni për ta hapur atë e ta lexoni kur të largoheni”, deklaroi Steve Green, drejtor i muzeut.

Green e pranoi megjithatë se shumë mund të dyshojnë që muzeu ka qëllime politike, nisur nga afërsia e tij me ndërtesën e Kongresit.

Ideatorët e nismës, zinxhiri i dyqaneve të artit “Hobby Lobby” dhe familja Green pushtuan titujt e parë të gazetave në 2014-n, kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara doli me vendimin se mund ta refuzonin mbulimin e kontraceptivëve në sigurimin shëndetësor të punonjësve të tyre për shkak të besimit fetar të pronarëve.

“Ne gjendemi këtu sot sepse treguam që jemi më të mirët në këtë qytet”, shpjegoi Green, duke shtuar se shpreson për çdo rast që politikanët e Uashingtonit ta bëjnë një vizitë. “Ata duhet të njohin themelet e kombit tonë, i cili është ndërtuar mbi një koncept biblik”, këmbënguli ai.

Më herët këtë vit, Muzeu i Biblës u rrethua nga polemika të shumta kur “Hobby Lobby” pranoi të hiqte dorë nga mijëra artefakte të futura kontrabandë prej Lindjes së Mesme. Rreth 5.500 prej tyre vinin nga një rajon i Irakut dhe ishin dërguar me etiketa të rreme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA