Ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda ish-zëvendës drejtori i përgjithshëm i burgjeve Iliaz Labi, i cili prej muajsh ka statusin e dëshmitarit të drejtësisë për llogari të dosjes korruptive në të cilën është nën akuzë ish-drejtori i përgjithshem i burgjeve Artur Zoto.
Labi i tha gjykatës se Artur Zoto i kishte kërkuar të fliste me një biznesmen për tenderin e ushqimeve që do të zhvillohej për burgjet. Ai kërkonte 20 për qind të shumës – kujtoi dëshmitari i drejtësisë, që gjithashtu është prej muajsh edhe nën akuzë.
Sipas dëshmitarit, pas bisedës me biznesmenin Shemsi Sinani, ky i fundit i kishte dhënë 20 milioëe lekë të cilat sipas tij ia kishte dorëzuar Artur Zotos. Dëshmitari i mbrojtur shtoi se edhe ai duhet të merrte pjesën e tij, por që Zoto nuk ia kishte dhënë.
Pas kundërshtimeve të ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Iliaz Labi këmbënguli se nuk kishte turp të tregonte gabimin për të cilin, siç tha, është gati të mbajë përgjegjësitë.
Top Channel