Debat për dekriminalizimin; Mandati i Kapllanajt sërish përplasje në KQZ

15/11/2017 15:27

Mandati i Agron Kapllanajt, kryebashkiakut të Mallakastrës ka mbërthyer sërish debatin në KQZ. Nënkryetari i KQZ, Denar Biba ka mohuar që në mbledhjen e 3 nëntorit të ketë pasur vendimmarrje.

“Mua sot më ka ardhur një vendim i shumicës së KQZ që është krejt i falsifikuar. Nuk është marrë ky dispozitiv që kemi para, nuk është vendosur në mbledhje të KQZ. Përse keni manipuluar vendimmarrjen e KQZ? Dispozitivi është i padiskutueshëm, KQZ vendosi vetëm rrëzimin e anëtarëve Biba dhe Skënderi. Kjo është për prokurori”, u shpreh Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së

Por çfarë tha kryetari i KQZ 2 javë më parë: “Në mbledhjen me dyer të mbyllura u vendos që të rrëzohet 4-3 propozimi i kolegëve për heqjen e mandatit kryetarit të bashkisë së Mallakastrës”, u shpreh Klement Zguri, kryetar i KQZ-së

Përfaqësuesit e opozitës mbrojtën vendimin e tyre për Kapllanajn dhe akuzuan Bibën për sulme në emër të PS.

“Kujdes me falsifikimet, nuk i vendosni ju. Çojani organit kompetent dhe ta vendosin ata”, tha Gëzim Veleshnja, përfaqësues i LSI-së në KQZ.

“E ka porosi nga partia, është ushtar i pavlerë i PS. Vetëm kaq je.”, tha Klement Zguri, kryetar i KQZ-së.

“Keni manipuluar vendimin. Nuk është çështje dhune”, reagoi Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së

“Është cështje mashtrimi. Çoje në prokurori”, deklaroi Vera Shtjefni, përfaqësuese e PD-së në KQZ.

Por në fund KQZ vendosi që nisur nga çështja Kapllanaj çdo rezultat i hetimit të prokurorisë, pavarësisht faktit nëse individët janë apo jo subjekt I ligjit të dekriminalizimit, KQZ do t’i shqyrtojë vetë me themel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA