Tritan Shehu: Marrëveshja e detit me Greqinë, model. Nuk duhej rrëzuar

13/11/2017 21:53

Ish-zëvendësministri i Jashtëm dhe aktualisht deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu mbrojti marrëveshjen e detit të nënshkruar me Greqinë në 2009 nga qeveria “Berisha”.

Duke folur në Top Story, Shehu thotë se pakti ishte i duhuri dhe se u sulmua padrejtësisht dhe politikisht në atë kohë.

“Marrëveshja e detit është një element i një marrëveshjeje më të madhe, që mbylli një kapitull dhe hapi një kapitull të ri me Greqinë. Në atë periudhë, marrëveshja u anatemua për interesa politike. U anatemua nga Rilindja edhe mundet për interes të palëve të treta”, deklaroi ai.

Shehu thotë se marrëveshja duhej të qëndronte.

“Sepse do të forconte pozicionin tonë dhe do të kalonim pastaj në rregullimin edhe të kufijve tokësorë me Greqinë”, u shpreh Shehu.

Deputeti demokrat këmbëngul se pakti Berisha-Karamanlis i 2009, do të shërbejë si model për një marrëveshje të re.

“Ajo marrëveshje do të shërbejë si model për marrëveshjen e re. Unë jam i bindur për këtë”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA