Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të Sllovenisë ishte më e ulëta e regjistruar ndonjëherë, vetëm 42 për qind. Megjithatë, presidenti në detyrë Borut Pahor arriti të fitojë numrin e mjaftueshëm të votave për të siguruar një mandat të ri presidencial, me 53% të mbështetjes.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Slloveni, më 23 tetor, besohej se Borut Pahor do të fitonte pa problem, por kreu aktual dhe opinioni slloven u befasuan me rezultatin: Ai nuk fitoi më shumë se 47% të votave, ndaj balotazhi i së dielës ishte i rëndësishëm.
Pahor u përball me kryebashkiakun e qytetit Kamnik, ish-humoristin Marjan Sharec. Rivali i Pahor, Marjan Sharec arriti të siguronte vetëm 47% të votave.
Gjithsesi, rezultati ishte shumë më i kënaqshëm sesa në raundin e parë, kur ai fitoi vetëm 27% të votave. 39-vjeçari Sharec, gazetar dhe aktor, kandidat i pavarur ishte relativisht i panjohur në Slloveni, ndryshe nga 54-vjeçari Pahor, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë edhe kryetar i Parlamentit, kryeministër dhe deputet në Parlamentin Europian.
Në pushtet që nga viti 2012, Pahorin e quajnë ndryshe edhe si “Presidenti nga Instagrami”, sepse atë e ndjekin në këtë rrjet social rreth 40 mijë persona. Por, mediet sllovene e kritikojnë për faktin se gjatë fushatës elektorale nuk është marrë me problemet serioze të vendit.
Top Channel