Parlamenti do të votojë për marrëveshjen përfundimtare të “Brexit”-it, para se Britania të dalë nga Bashkimi Europian.
Ministri i ngarkuar për “Brexit”-in, David Davis u tha deputetëve se kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja, përfshirë detajet e parave, të drejtat e qytetarëve dhe çdo tranzicion, do të bëhen ligj përmes një akti të Parlamentit.
Çdo marrëveshje do të hyjë në fuqi vetëm nëse deputetët e miratojnë atë. Gjithsesi ai tha se kjo nuk do të mund të ndryshonte faktin që Britania e Madhe do të largohet nga BE-ja. Laburistët e mirëpritën qëndrimin, por disa deputetë vunë në pikëpyetje faktin se çfarë domethënie do të kishte një votim për një marrëveshje të minutës së fundit.
“Unë mund të konfirmoj se, pasi të kemi arritur një marrëveshje, do të dalim me një legjislacion specifik për implementimin e saj. Kjo konfirmon se marrëveshja e daljes nga BE-ja do të implementohet direkt në Britani, si një legjislacion parësor, dhe Parlamenti do të ketë kohë për të debatuar, shqyrtuar dhe votuar marrëveshjen përfundimtare, që ne do të nënshkruajmë me BE-në. Kjo marrëveshje do të qëndrojë në këmbë, vetëm nëse Parlamenti e miraton atë”, tha David Davis, ministër për “Brexit”-in.
Sipas analistëve lajmi është domethënës, sepse përbën një koncesion të madh ndaj rebelëve të mundshëm konservatorë dhe deputetëve laburistë, në një moment të rëndësishëm në procesin e “Brexit”-it.
Më vonë këtë javë, deputetët do të debatojnë për legjislacionin kyç të “Brexit”-it, me qeverinë që përballet edhe me një disfatë të mundshme mbi disa aspekte të ligjit për tërheqjen nga BE-ja, që do të konvertojë ligjet e BE-së në ligje britanike.
Top Channel