Gjelbërimi i rrugëve dytësore te Liqeni i Thatë ka vijuar teksa janë mbjellë 1 mijë pemë të reja për Pyllin Orbital.
“Po ndjekim gjithë Unazën e jashtme të Tiranës, e cila në fakt është konturi dhe kufiri i Pyllit Orbital. Sot po mbjellim 1000 rrapë, që i kemi donacion. Dua të falenderoj të gjithë donatorët që po aplikojnë konceptin që kemi propozuar, pra për çdo makinë, dy pemë të mbjella, për të zeruar impaktin që ka në mjedis ndotja që vjen nga makinat. Jam entuziast për faktin se na janë përgjigjur shumë kompani, shumë më shumë se ç’e kishim menduar”, tha Veliaj.
Ai u shpreh optimist se me ritmet me të cilat po punohet, do të arrihet një numër rekord i mbjelljes së pemëve të reja në mbi 100 mijë në vit.
“Do ta thyejmë rekordin tonë, duke mbjellë mbi 100 mijë pemë këtë vit, vetëm nga energjia fantastike që po gjenerojnë në Tiranë të rinjtë, vullnetarët, kompanitë, shoqatat”, tha ai. Teksa falenderoi banorët për mirëkuptimin e treguar për respektimin e kufizimeve për të ndërtuar pranë rrugëve kryesore, kreu i Bashkisë theksoi se projekte të tilla rrisin vlerës e pronës dhe në të njëjtën kohë përmirësojnë anën estetike të qytetit.
Top Channel