Argjentina është përballur me probleme të mëdha edhe kur e ka pasur idhullin e saj në fushë, e natyrshëm që shumëkush mund të thotë se pa Lionel Messin, “Seleccion” nuk mundet t’ia dalë.
Nëse kombëtarja “albiceleste” arriti të kualifikohej në Botërorin “Rusi 2018”, kjo mbi të gjitha falë “pleshtit”, që në momentin më të vështirë të kombëtares së drejtuar nga Jorge Sampaoli arriti të shënonte një trigolësh ndaj Ekuadorit, në ndeshjen vendimtare për t’u kualifikuar.
Ylli i jashtëzakonshëm i Barcelonës, tashmë i grumbulluar me Argjentinën, ka kthyer kohën disi pas për të folur mbi zgjedhjen e para një viti për t’u tërhequr nga kombëtarja pas humbjes “djegëse” në finalen e Kupës së Amerikës përballë Kilit, në verën e vitit 2016.
“Ishte një vendim që nuk e mora në gjaknxehtësi e sipër – thotë argjentinasi për “Direct TV Sports”, – por të them të drejtën më erdhi shumë turp kur thashë më pas se doja të rikthehesha në kombëtare”.
“Sigurisht që në atë moment, trajneri Bauza dhe shokët e skuadrës më ndihmuan shumë. Si e përjetoj futbollin? Tashmë në të 30-at e mia kam një pikëpamje të ndryshme nga shumë vite më parë. Them se më pëlqen edhe më shumë. Përfitoj nga çdo rast që më jepet, brenda dhe jashtë fushe. Sa i përket situatës në kombëtare, them se kam përjetuar momente të ndryshme. Sot jam më i qetësuar, por kur më kritikojnë e përjetoj shumë keq”, thotë Messi.
Top Channel