Libani, një vend i ndarë prej kohësh nga konfliktet fetare, të dielën gjeti një moment të rrallë uniteti dhe e shfaqi këtë gjatë maratonës së Bejrutit, ku libanezë nga çdo krah politik apo fetar kërkuan kthimin e ish-kryeministrit Saad al-Hariri në vend.
Hariri udhëtoi drejt Rijadit më 3 nëntor dhe nga atje dha dorëheqjen, me justifikimin se duan ta vrasin, e gjithashtu fajësoi Iranin dhe organizatën libaneze Hezbollah, që shkaktojnë kaos në botën arabe.
Autoritetet libaneze besojnë se Arabia Saudite e detyroi Haririn të tërhiqet dhe e mban kundër vullnetit të tij. Këtë duket se e besojnë edhe shumica e libanezëve, që dolën më mijëra për të marrë pjesë në maratonë dhe mijëra të tjerë për të parë garën, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë që janë shtuar që prej dorëheqjes së kryeministrit.
Mes “detit” të njerëzve dalloheshin qartë banderolat me shkrimet “Po të presim”, drejtuar ish-kryeministrit. Ky i fundit mori vet pjesë në maratonën e vitit të kaluar, për të treguar unitetin në vend, diçka që ishte edhe fjala kyçe e pjesëmarrësve në maratonën e së dielës.
Shumë libanezë thanë se solidarizimi është një shenjë shumë e mirë, por pati edhe nga ata që u treguan shumë më gjakftohtë dhe mbase më realistë.
“Çdo person punon për interesin e tij. Është në interesin e tyre që tani të jenë të bashkuar. Por, pas pak do të kenë sërish mosmarrëveshje. Kjo është thjesht një periudhë e përkohshme”, tha Ali Assaf.
Arabia Saudite i ka hedhur poshtë akuzat se e mban Haririn kundër vullnetit të tij, e tha se ai dha dorëheqjen sepse qeverinë e ka marrë në dorë Hezbollahu.
Top Channel