A do të ketë një takim Trump-Putin, apo jo? Të dy presidentët ndodhen në Vietnam, në sallat e Samitit të “APEC”-ut, por Moska thotë se ka marrë sinjale kontradiktore nga Shtetet e Bashkuara për një takim të mundshëm mes tyre.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov thotë se ende nuk po kuptojnë asgjë.
“Deklaratat që ne marrim janë kontradiktore. Deri më tani nuk po kuptojmë qartë, por vazhdojmë të punojmë me durim që të arrijmë të kuptojmë. Por, thënë thjesht, të dy presidentët janë në qytet dhe në një mënyrë apo në një tjetër do të takohen”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
Të njëjtën paqartësi shpreh edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas të cilit nuk duhet konsideruar ai përgjegjës për informacionet kontradiktore mbi takimin e mundshëm.
“Përse më pyesni mua? Pyesni amerikanët! Ne themi se kemi dëgjuar për dëshirën e presidentit Trump për t’u takuar me presidentin Putin, dëshirë kjo e shprehur nga vet Trump. Se çfarë thonë pjesa tjetër e stafit të tij, unë nuk e di dhe nuk mund të jem përgjegjës për këtë. Ndaj pyesni palën amerikane”, tha Sergei Lavrov.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se Trump nuk do të kishte një takim të ndarë me homologun e tij rus. Trump dhe Putin kanë shtrënguar duart muaj më parë në Hamburg dhe, pavarësisht premtimeve të fushatës elektorale të Donald Trump për përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë, duket se kjo nuk po konkretizohet, ndikuar edhe nga hetimi në vazhdim në SHBA për përzierjen e supozuar të Moskës në zgjedhjet e vitit 2016, që po i shkaktojnë shumë kokëçarje presidentit amerikan.
Top Channel