Samiti i “APEC”, pritshmëri për fjalimin e Trump

10/11/2017 11:07

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po u drejtohet udhëheqësve të biznesit në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili ka nisur punimet në Vietnam.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë është duke parashtruar përpara pjesëmarrësve të takimit të nivelit të lartë rolin e ardhshëm të Amerikës në rajon, kur vjen fjala te tregtia dhe rritja ekonomike.

Slogani i tij “Amerika e para” dhe tërheqja nga marrëveshja rajonale e partneritetit të transpaqësorit janë parë gjerësisht si zmbrapsje nga tregtia e lirë.

Ndër zotimet e tij kryesore është gjithashtu edhe korrigjimi i çekuilibrit të madh tregtar mes Kinës dhe Japonisë. Për gati 30 vite, “APEC”-u ka qenë vendi ku Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet e tregtisë së lirë dhe lidhjet më të forta të biznesit mes ekonomive më dinamike të globit.

Por tentativat e Trump për të arritur një ujdi sa më të mirë për Amerikën e kanë ndryshuar panoramën. Argumenti i tij është se, dekadat e rritjes së tregtisë në rajonin e Azi-Paqësorit kanë dëmtuar kompanitë amerikane.

Fjalimi në Samitin e Vietnamit është një mundësi për presidentin republikan, që të përshkruajë ashtu siç e mendon rolin që duhet të luajë Uashingtoni, në një rajon ku lidershipi i SHBA-ve në të shkuarën ka qenë i ndjeshëm.

Shtetet anëtare të “APEC”-ut, sakaq janë duke eksploruar mënyra të tjera për të përmirësuar rrjetet e tyre tregtare pa Amerikën, dhe Kina, tashmë një rival serioz për dominimin ushtarak dhe diplomatik në Azi, po e bën të qartë se është e përgatitur t’iu heqë nga duart SHBA-ve edhe lidershipin ekonomik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA