Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një vizitë të paplanifikuar në Arabinë Saudite, mes përshkallëzimit të krizës mes Mbretërisë dhe Libanit.
Udhëtimi i tij vjen disa ditë pasi kryeministri libanez, Saad Hariri dha dorëheqjen ndërsa gjendej në Rijad, duke thënë se kishte frikë për jetën.
Arabia Saudite dhe Irani akuzojnë njëri-tjetrin për nxitjen e paqëndrueshmërisë në Liban e më gjerë në rajon.
Macron dhe autoritetet saudite diskutuan gjithashtu për krizën në Jemen, ku Rijadi udhëheq luftën kundër rebelëve. Franca ka lidhje historike me Libanin, si një ish-fuqi koloniale e tij para se vendi të fitonte pavarësinë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti francez vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten, me rastin e përurimit të muzeut artistik “Louvre” në Abu Dhabi. Duke folur atje, ai njoftoi një udhëtim të papritur dyorësh në Rijad për të zhvilluar bisedime me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, e për të theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe integritetit libanez.
Rijadi ashpërsoi bllokadën ndaj Jemenit të hënën, pas lëshimit të një rakete nga ky vend drejt kryeqytetit saudit, për të cilën autoritetet fajësojnë grupin libanez të Hezbollahut. Autoritetet saudite kanë kërkuar largimin e të gjithë qytetarëve të vet nga Libani, me pretendimin se ai po udhëhiqet nga militantët e Hezbollahut.
Ekziston frika se Libani mund të përfshihet në një konfrontim më të gjerë mes fuqisë sunite të Arabisë Saudite dhe Iranit të domunuar nga shiitët. Macron është mbështetës i flaktë i ujdisë bërthamore me Iranin, të cilin Rijadi dhe administrata “Trump” e kritikojnë ashpër.
Top Channel