Hartuesi i nenit 50 të “Lisbonës”: Britania mund ta zhbëjë “Brexit”-in

10/11/2017 16:14

Kryeministrja britanike Theresa May duhet të ndalë keqinformimin e votuesve dhe të pranojë se “Brexit” mund të evitohet, nëse Britania vendos njëanshmërisht të tërhiqet nga bisedimet për divorc. Kështu thotë vet personi që ka hartuar nenin 50 të marrëveshjes së Lisbonës.

May, e cila njoftoi zyrtarisht BE-në për qëllimet e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian duke aplikuar nenin 50 të marrëveshjes, më 29 mars, thotë se ajo nuk do të tolerojë asnjë përpjekje në Parlament për të bllokuar “Brexit”-in.

Duke aplikuar nenin 50, May bëri që të fillojë numërimi mbrapsht për një proces dyvjeçar shkëputjeje, që deri më tani ka dështuar të prodhojë një marrëveshje divorci dhe që u pengua nga basti i saj për zgjedhje të jashtëzakonshme në qershor, zgjedhje këto që i kushtuan asaj shumicën parlamentare.

Por John Kerr, ambasador britanik në BE nga viti 1990 deri në vitin 1995 dhe anëtar i nderuar i Dhomës së Lordëve, tha në Londër se Britania e Madhe është e lirë të ndryshojë mendje për largimin nga BE-ja dhe se zgjedhësit janë keqinformuar duke iu thënë e kundërta.

“Fakti është se ka një vendim politik që duhet mbajtur. Ndaj nuk ka kthim prapa. Për sa i takon Brukselit dhe marrëveshjes së Lisbonës, ky vend ka ende zgjedhje të lirë nëse do të bëjë përpara, apo të tërhiqet. Ndërsa fakte të reja dalin, njerëzit po e shohin në mënyrë tjetër dhe nuk ka asgjë në nenin 50 që t’i ndalojë ata. Unë mendoj se britanikët kanë të drejtë ta dinë këtë”, tha lordi John Kerr, hartues i nenit 50.

Ditën që May u mbështet te neni 50 i marrëveshjes së Lisbonës, ajo i tha Parlamentit britanik se nuk kishte më kthim prapa, e të premten këmbënguli se Mbretëria e Bashkuar do të shkëputej nga BE-ja në orën 23:00 të 29 marsit 2019.

Në anën tjetër, BE-ja i ka dhënë dy javë kohë Britanisë për të qartësuar çështjet kyçe, ose për të bërë lëshime, nëse do të arrihet progres në bisedimet për “Brexit”-in. Kryenegociatori i BE-së, Michael Barnier u përqëndrua mbi të gjitha te fatura e divorcit. “Është thjesht një çështje e ndarjes së hesapeve, si në çdo divorc”, tha Barnier.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA