“Mbretëria e Bashkuar ka dy javë kohë që të qartësojë pozicionin e saj në çështjet kyçe ose të bëjë lëshime, në mënyrë që të arrihet progres në negociatat për Brexit”.
Kryenegociatori i BE, Michel Barnier, i bëri këto komente pas bisedimeve me sekretarin britanik për Brexit, David Davis, për të drejtat e qytetarëve, kufirin irlandez dhe faturën e divorcit.
Homologu i tij britanik, Davis tha pas bisedimeve se ka ardhur koha që të dyja palët të gjejnë zgjidhje, duke lënë mbase të kuptohet se deri tani nuk është bërë asgjë, një mesazh që vjen tërthorazi edhe nga ultimatumi i mbuluar i Barnier.
Gjatë konferencës për shtyp në Bruksel, Banier tha se Londra duhet të sqarojë për dy javë sa ka ndërmend të paguajë, pasi rregullimi i llogarive është fare normal në cdo proces ndarje. Flitet se BE kërkon një shifër prej rreth 60 miliard eurosh nga Londra për angazhimet e mëhershme, por britanikët nuk janë aspak të gatshëm të paguajnë aq.
Sidoqoftë, sqarimin e faturës së divorcit Barnier e konsideroi kusht kryesor për të arritur progres deri në samitin e liderëve të BE në dhjetor. Në krahun tjetër, pavarësisht fjalëve të Banier, sekretari britanik i Brexit tha se progresi është i prekshëm dhe se negociata kanë ngecur në pak çështje, por që janë shumë të rëndësishme.
Davis nuk harroi që të kundërshtonte me forcë sugjerimin e ditëve të fundit se Irlanda e Veriut mund të mbesë brenda unionit evropian të doganave edhe pas Brexit.
Top Channel