Bashkia e Tiranës ka nisur konsultimin për projektbuxhetin e vitit 2018, të cilin kryebashkiaku Erion Veliaj e cilëson si më të madhin në historinë e Tiranës. Konsultimet kanë nisur nga njësia nr. 7 e më pas në të gjitha njësitë administrative të Tiranës.
“Para dy vitesh, kur bëmë buxhetin e vitit 2016 vendosëm një standard. E vijuam vjet me buxhetin e vitit 2017 dhe po e vazhdojmë edhe këtë vit. Këtë vit e rrisim buxhetin me 15% krahasuar me një vit më parë, çka bën që të jetë buxheti më i madh historik i Bashkisë së Tiranës që nga themelimi i saj”, tha Veliaj.
Ndërsa në dy vitet e para krahasimi bëhej me atë që kishte bërë paraardhësi, tashmë për Bashkinë e Tiranës është sfidë krahasimi me vetveten. Ndaj, tha Veliaj, shumë shpejt do të nisë ndërtimi i 19 shkollave të reja.
avarësisht se ndërtuam në një vit 4 shkolla, ndërkohë që më përpara në 4 vjet nuk u bë asnjë shkollë e re në Tiranë, ambicia nuk është me atë që ishte më përpara, ambicia është të krahasohemi me vitin tonë më të mirë. Vitin që vjen do ndërtojmë 19 shkolla të reja në Tiranë, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e arsimit me dy turne në qytetin tonë dhe për t’i dhënë edhe kësaj lagjeje, përveç shkollave aktuale që do të rikonstruktohen, do të kemi edhe një shkollë të re shtesë, që përfundimisht Njësia 7 të shpëtojë po ashtu nga mësimi me dy turne”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj theksoi gjithashtu se gjelbërimi i qytetit mbetet një sfidë edhe për këtë vit. Ai foli edhe për projektet madhore që ndonëse nuk prekin të gjitha njësitë në territor, ndikojnë tek gjithë qytetarët. Një prej tyre është edhe vijimi i projektit të Bulevardit të Ri. Një tjetër projekt që prek gjithë Tiranën, por edhe Njësinë 7, është edhe ai për rehabilitimin e lumit Lana në dy anët e tij. Gjithashtu, te projektet madhore ai vuri theksin edhe te ndërtimi i terminaleve të autobusëve, të cilat sipas tij do të ndikojnë direkt në trafikun e çdo njësie.
Kreu i bashksië renditi te projektet madhore edhe rikonstruksionin dhe vënien në punë të Piramidës, si një qendër që do i shërbejë më shumë kulturë dhe rinisë.
Ndërkohë, sa i përket projekteve konkrete që prekin direkt Njësinë 7, Veliaj theksoi mes tyre ato për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Sabaudin Gabrani 1” dhe “Gustav Majer”, ndërtimin e dy këndeve të tjera për fëmijë, ndërtimi i një pjese të Unazës së katërt, si dhe rikualifikimi urban i disa blloqeve banimi dhe i disa rrugëve. Por, ai bëri të ditur se lista e prioriteteve mund të ndryshojë për çdo njësi gjatë vitit.
Top Channel