Opozita pretendon se ofrimi i teksteve shkollore falas është nismë e saj, jo vetëm si pjesë e programit elektoral të qershorit, por edhe në formën e një projektligji që e ka dorëzuar në Kuvend më datë 30 tetor.
“Kjo ju ka mbetur, të vidhni edhe iniciativat ligjore të PD, se mirë që e keni futur, por e keni futur krejt gabim dhe pa bërë as ndryshimet ligjore”, tha deputetja Albana Vokshi duke treguar faksmile-n në Parlament.
Por ministrja e Arsimit, nga ana e saj pretendon të kundërtën. 4 ditë përpara se grupi parlamentar i PD të dorëzonte në Kuvend projektligjin për tekste falas, ministrja Nikolla tha:
“Qeveria shqiptare ka vullnetin për të mundësuar tekste falas për nxënësit. Jemi të dedikuar që vitin e ardhshëm shkollor të bëjmë progres, duke mundësuar tekste falas”, tha Nikolla.
Megjithatë, në fund ajo që mbetet dhe që ka rëndësi është lajmi se në 2018-n tekstet shkollore do të jenë falas. Fillimisht për vetëm 4 klasa, nga e para te e katërta, ndërsa klasa e pestë do të vijojë të punojë me kurrikulën e vjetër.
Tekstet falas për klasën e pestë është parashikuar të shpërndahen 1 vit më vonë, gjatë vitit shkollor 2019-2020. Qeveria ka parashikuar për sektorin e arsimit 38 miliardë lekë buxhet, 10% më shumë se vjet, ndërsa dhënia e teksteve falas për rreth 40 mijë nxënës do t’i kushtojë shtetit 600 milionë lekë të reja në vit.
Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit thonë se projekti është ende në fazë diskutimi, ku mes të cilave thuhet se pilotimi do të nisë në Tiranë dhe në disa nga qytetet më të mëdha të vendit, pa saktësuar emra konkretë, por ku me siguri bëjnë pjesë: Durrësi, Elbasani, Shkodra.
Një tjetër element i rëndësishëm që pritet të ndryshojë është transformimi i procesit të përzgjedhjes së teksteve. Burime për Top channel thonë se me gjasë do t’i rikthehemi monotesktit, pra 1 tekst për çdo lëndë, jo më disa, siç e parashikonte alterteksti, përmes të cilit ishin mësuesit ata që zgjidhnin mes morisë së teksteve.
Tani do të jenë Ministria e Arsimit që do t’i zgjedhë tekstet, të paktën për klasat 1-4. Kjo edhe për efekt të kostos financiare. Një tjetër pikë diskutimi është nëse kjo nismë do të përfshijë edhe shkollat private të arsimit parauniversitar dhe nëse pjesë e paketës falas do të jenë edhe fletoret e punës.
Top Channel