Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn kanë qenë pasditen e së enjtes në Vlorë, për të promovuar investimet, kryesisht ato në sektorin e turizmit, që janë financuar edhe nga BE.

Në fjalën e tij, Rama ka premtuar se investimet për Vlorën do të vazhdojnë dhe do të shtrihen në rang qarku.

“Do vijojmë investimin për qendrën historike të Vlorës, që do t’i japë qytetit mundësinë të shfaqë identitetin e vetë. Më tutje do vazhdojmë me gjithë aksin që na çon drejt Radhimës dhe Orikumit, vijën bregdetare të Orikumit. Ndërkohë, ne jemi në diskutim për të finalizuar projektin e rrugës nga Orikumi përmes Llogarasë deri poshtë në Himarë, për të cilin po diskutojmë dy variante”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka bërë me dije se, janë afro 500 projekte që do të vazhdojnë gjatë këtij 4-vjeçari që do të shtrihen edhe në zonat rurale. “Rilindja Urbane është një program që vjen për të nxitur ekonominë, turizmin, punësimin dhe zhvillimin social”, ka shtuar Rama.

Nga ana e tij, komisioneri Hahn ka premtuar vazhdimin e mbështetjes financiare të BE-së për restaurimin e zonave turistike në mbarë Shqipërinë, e jo vetëm në Vlorë me Lungomaren.

“Vlora të shërbejë si kartvizitë për të huajt që të vijnë në Shqipëri. Ndaj ne kemi bashkëfinancuar rehabilitimin e qyteteve këtu në Shqipëri. Përveç këtij projekti në Vlorë ne kemi dhënë mbështetje për Beratin, Shkodrën, etj, për të rehabilituar pjesë të këtyre qyteteve për të ndryshuar imazhin e vendit në Europë. Nëse e prezantoni veten siç po bëni sot me Lungomaren, atëherë kjo është pozitive”, ka thënë Hahn.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA